Policia e Shtetit feston 112-vjetorin, Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha: Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet sfidë

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, gjatë fjalës së tij në 112 vjetorin e themelimit të Policisë së Shtetit, ka renditur sfidat dhe kritikat me të cilat përballet ende struktura e policisë, duke theksuar se puna e drejtuesve të policisë nuk matet vetëm me urdhra zyrtarë, por me angazhimin dhe përpjekjet e vazhdueshme për të garantuar rendin dhe sigurinë në vend.

Në fjalimin e tij, Hoxha ka theksuar disa prej sfidave më kritike që ka përpara Policia e Shtetit, duke u fokusuar veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe nevojën për garantimin e sigurisë publike në të gjithë Shqipërinë.

“Para strukturave të Policisë së Shtetit, sot qëndrojnë disa nga sfidat më kritike të kohës sonë. Këto janë:

1.Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

2.Garantimi i sigurisë publike në çdo cep të Shqipërisë, përfshirë kontrollin e plotë të territorit,” tha ministri Hoxha.

Ai gjithashtu theksoi se është e rëndësishme që Policia e Shtetit të vazhdojë të rrisë efektivitetin e saj në hetimin e rasteve të dhunës në familje dhe trafikimit, si dhe të përmirësojë trajtimin e krimeve që, edhe pse mund të duken të vogla, cenojnë të drejtat themelore të qytetarëve.

“Rritja e efektivitetit në hetimin e rasteve të dhunës në familje, trafikimit dhe krimeve të tjera që mund të duken të vogla, por që cenojnë të drejtat themelore të qytetarëve tanë, është një prioritet për Policinë e Shtetit. Duhet të sigurojmë që çdo qytetar të ndiejë mbështetje dhe të merret në mbrojtje kur të jetë në nevojë,” u shpreh ministri i Brendshëm.

Një tjetër detyrë që ministri Hoxha e theksoi ishte përmirësimi i shërbimeve për qytetarët, duke siguruar që ata të kenë një Polici të gatshme dhe efikase për t’iu përgjigjur çdo nevoje dhe për t’u mbrojtur nga çdo kërcënim.

Në përfundim, ministri Hoxha u shpreh se Policia e Shtetit do të vazhdojë të luftojë dhe të angazhohet për përmbushjen e këtyre sfidave, duke u fokusuar në një polici të përkushtuar dhe profesionale, që do të sigurojë rend dhe siguri për të gjithë qytetarët shqiptarë.