“Policia britanike nuk do të na mposhtë kurrë”, bosi shqiptar i kokainës zbulon arsyen

Një shqiptar i njohur për aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të drogës është rrëfyer për mediat angleze se si funksionon një rrjet i tillë.

Në një intervistë, ai ka shpjeguar pse beson se policia britanike nuk do të arrijë kurrë të shkatërrojë rrjetet shqiptare të kokainës në Mbretërinë e Bashkuar.

Ai zbuloi një taktikë të quajtur “shitja e punës”, ku telefonat me kontakte trafikantësh shiten për deri në 100,000 paund nëse policia nuk arrin t’i sekuestrojë në kohë pasi poseduesi arrestohet. Kjo lejon rrjetin të vazhdojë punën edhe pas arrestimeve.

Shqiptarët janë bërë aktorë kryesorë në tregtinë e kokainës në Europë që nga vitet ’90 dhe kanë dominuar tregun britanik, duke bashkëpunuar drejtpërdrejt me kartelet kolumbiane.

Pavarësisht arrestimeve të shumta nga NCA dhe Scotland Yard, aktiviteti i tyre kriminal nuk është ndalur. Në fund të vitit të kaluar, mbi 1,100 shqiptarë ndodheshin në burgjet britanike, përfshirë edhe drejtues të mafias.

Agjencitë britanike kanë nënshkruar një marrëveshje me SPAK dhe drejtësinë në Shqipëri për të ndjekur asetet e paligjshme të shqiptarëve të dënuar në Britani.