Policia aksion te zyrat qendrore të kompanisë ‘Bankers’, arrestohet ish-drejtori Leonidha Çobo, akuzohet për …

Një aksion i befasishëm i Policisë së Fierit është zhvilluar paraditen e sotme në zyrat qendrore të kompanisë “Bankers Petroleum”. Burime zyrtare konfirmojnë se në kuadër të këtij operacioni është arrestuar ish-drejtori ekzekutiv i kompanisë, Leonidha Çobo.

Operacioni është zhvilluar me urdhër të Prokurorisë së Fierit dhe ka të bëjë me hetime për shkelje të rënda financiare dhe abuzime me detyrën gjatë periudhës kur Çobo drejtonte kompaninë. Në pranga ka rënë dhe CEO kinez i “Bankers”, Hongping Xiao.

Sipas të dhënave paraprake, autoritetet kanë sekuestruar dokumentacion të rëndësishëm që dyshohet se lidhet me aktivitete të dyshimta ekonomike dhe shkelje të legjislacionit në fushën e hidrokarbureve. Policia nuk ka dhënë ende detaje të plota mbi natyrën e hetimeve, por mësohet se ato janë pjesë e një hetimi më të gjerë që përfshin disa ish-zyrtarë dhe drejtues të tjerë të “Bankers Petroleum”.

Kompania është përballur dhe më parë me akuza nga autoritetet tatimore dhe doganore për mospërmbushje të detyrimeve ligjore ndaj buxhetit të shtetit. Në të kaluarën, “Bankers Petroleum” është kritikuar gjithashtu për ndikimin negativ që aktiviteti i saj naftënxjerrës ka sjellë në mjedisin e zonës së Marinzës, duke shkaktuar ndotje të konsiderueshme dhe shqetësim për komunitetin lokal.

Lajmi në zhvillim …