‘Poker’ golash i Castallanos shkatërron Real Madrid, Girona i nxjerr nga gara për titull

Real Madrid del totalisht nga gara për titull.

Skuadra mbretërore u mposht në mënyrë bindëse, 4-2 nga Girona dhe 7 javë nga fundi distanca me Barcelonën kryesuese mbetet në 11 pikë. Hero për vendasit ishte padyshim sulmuesi kryesor, Castallanos. Argjentinasi shënoi të katër golat në portën e Real Madrid, duke qënë vendimtar për skuadrën.

Një poker golash për sulmuesin, që bëhet i pari lojtar në shekullin e 21-të që realizon 4 herë në portën e kryeqytetasve.  Madje, 24-vjeçari përmirësoi shifrat edhe të një futbollisti si Lionel Messi, që në vitin 2014 realizoi vetëm 3 herë në portën e madrielenëve.

Nota negative për skuadrën e Carlo Ancelottit, me Vinicius që shënoi dhe asistoi tek goli tjetër, por që nuk shërbeu për të marrë ndoshta edhe një pikë. Braziliani mori pjesë në golin e 8-të radhazi të Realit, me një rrjetë dhe 7 asistime, por nuk arriti të shmang humbjen e skuadrës. Sulmuesi shërbeu asist tek goli i 4-2 me autor Lucas, duke përmirësuar shifrat personale në këtë edicion.

Disfata e gjashtë sezonale për Realin në kampionat, teksa tashmë çështja titull kthehet në utopi. Me 21 pikë në lojë, distanca qëndron në 11, me Barcelonën që ka edhe një sfidë për të rikuperuar.

Ndërkaq, Girona ngjitet në renditje, duke e parë veten në kuotën e 41 pikëve dhe thuajse e sigurtë në qëndrimin në kategori sezonin e ardhshëm.