Në kuadër të shkëmbimeve kulturoro-artistike mes Bashkisë Pogradec dhe Institucioneve ndërkombëtare, si edhe në kuadër të 90-vjetorit të çeljes së Bibliotekës së parë në Qytetin e Pogradecit, në emër të Kryetarit të Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, një përfaqësi nga bashkia Pogradec zhvilluan një vizitë në qytetin e Bitolas në Maqedoninë e Veriut.
Qëllimi i vizitës ishte së pari dhurimi i rreth 100 titujve të librave shqip për Blibliotekën e Muzeut të Alfabetit të Gjuhës.Gjatë takimit, Drejtori i Muzeut të Alfabetit, Nuer Arsllani, shprehu falenderimet dhe dashamirësinë për bashkëpunime të tjera në fushën e trashëgimisë kulturore dhe historike ndërmjet dy qyteteve.
Takime pati edhe me titullarë të institucioneve kulturoro-artistike, me Drejtorin e Teatrit Popullor në qytetin e Bitolas, Vasko Mavrovski dhe me Drejtoreshën e Bibliotekës Universitare “Shën Klementi i Ohrit”, Emilija Stefanovska Davkova.
U diskutua dhe u dakordësua mbi bashkëpunimet në fushën e Arteve Skenike, përkatësisht shfaqje të Teatrit të Kukullave, pjesëmarrja në Festivalet e Teatrove të Kukullave, tashmë traditë në dy qytetet, pjesëmarrje në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës, i cili do të organizohet nga Bashkia Pogradec, si edhe organizimi i aktiviteteve të përbashkëta promovuese kulturoro-artistike dhe aktivitete me synim sjelljen më pranë lexuesit, të Librit.
Pikë e rëndësishme ishte edhe mundësia e bashkëpunimit në projektet mbi Artin, Kulturën dhe Trashëgiminë Kulturore inicuar nga Bashkimi Evropian.