Pogradec/ Apartament i kthyer në fole prostitucioni, arrestohet 61-vjeçarja kineze, eurot false i kishte fshehur në lavatriçe
Një apartament i marrë me qira në lagjen nr. 1 të Pogradecit ishte kthyer në fole prostitucioni dhe u zbulua nga Policia e Shtetit pas dy muajsh hetime intensive me metoda proaktive, në kuadër të operacionit të koduar “Last night”.
Në pranga ra shtetasja kineze H. F., 61 vjeçe, e cila akuzohet për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Falsifikimi i monedhave”.
Gjatë kontrollit në apartament, policia gjeti shuma parash në valuta të ndryshme, kartëmonedha lekë të dyshuara si të falsifikuara si dhe euro të fshehura brenda lavatriçes. Po ashtu u sekuestruan katër celularë që dyshohet se përdoreshin për të kryer veprimtarinë e paligjshme.
Një tjetër shtetase kineze, C. L., 46 vjeçe, e dyshuar si bashkëorganizatore e këtij aktiviteti kriminal, është shpallur në kërkim. Sipas hetimeve, ajo banon në Kinë dhe dyshohet se ka pasur rol kyç në organizimin e rrjetit.
Ndërkohë, procedim penal ka nisur edhe për pronarin e apartamentit, 33-vjeçarin L. Xh., i cili akuzohet për “Mbajtje të lokaleve për prostitucion”.