“Po vij me paketë…”/ Kodet sekrete nuk i shpëtuan dot policisë: Gjysmë kilogrami drogë kapet në parkim në Milano

Një tjetër rast i trafikut të drogës është goditur në Itali, këtë herë në zonën e Vermezzos, në Milano, ku një shtetas shqiptar 21-vjeç dhe një italian 24-vjeç përfunduan në pranga pas një operacioni policor që kishte nisur prej javësh. Të rinjtë akuzohen për shpërndarje të lëndëve narkotike në zonat përreth, duke përdorur metoda të koduara dhe vendndodhje të fshehta për të shmangur ndjekjen nga autoritetet.

Sipas policisë italiane, gjatë arrestimit iu sekuestruan 500 gramë hashash, të ndarë në doza për shitje, si dhe 0.9 gramë kokainë. Njëri prej të dyshuarve mbante me vete edhe një thikë çelësi, për të cilën nuk kishte asnjë justifikim ligjor.

Hetuesit kishin përgjuar më herët disa biseda të koduara mes të rinjve, ku përdornin shprehje si “sanduiç” dhe “paketë” për të përshkruar drogën. Në një prej komunikimeve, njëri prej tyre u dëgjua duke thënë: “Po kthehem nga Magenta me paketën e McDonald’s… sanduiçin” – një shprehje që u deshifrua si kod për dorëzimin e drogës.

Gjykata e Pavia-s ka konfirmuar arrestimin e tyre gjatë seancës për masën e sigurisë, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbuluar nëse të rinjtë janë pjesë e një rrjeti më të gjerë trafiku që vepron në zonat e Abbiatense dhe Magentino.

Sipas autoriteteve, fshati pranë Morimondos ka qenë për një kohë të gjatë një pikë kyçe ku konsumatorët prisnin drogën, ndërsa parkingjet e restoranteve të njohura si ai i “McDonald’s” në Magenta, janë përdorur si vendtakime për shkëmbimin e parave dhe mallrave.

Ky operacion vjen pas një tjetër goditjeje një muaj më parë në Sedriano, ku u arrestuan katër persona dhe u sekuestruan tetë kilogramë hashash dhe rreth një kilogram marihuanë. Ndër të ndaluarit në atë rast ishte edhe një grua 36-vjeçare nga Brescia, e cila u kap në flagrancë gjatë një shkëmbimi droge.