Po planifikonte të vendoste bombë në një bankomat, shpërthimi në dorë i merr jetën 38-vjeçares në Selanik
Një grua 38-vjeçare ka humbur jetën tragjikisht në Selanik, pasi një pajisje shpërthyese i shpërtheu në duar ndërsa dyshohet se po përpiqej ta vendoste atë në një bankomat. Ngjarja ndodhi në një lagje të populluar pranë qendrës së qytetit, përpara një ndërtese ku ndodhej një filial banke.
Pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë së dyqaneve pranë vendit të ngjarjes tregojnë gruan duke mbajtur një çantë, në të cilën besohet se ndodhej bomba. Ajo ka vendosur çantën pranë ndërtesës së bankës dhe më pas është larguar disa metra, por është kthyer dy herë për të parë përse pajisja nuk po shpërthente. Në kthimin e dytë, ajo ka marrë çantën në duar dhe pikërisht në atë moment ka ndodhur shpërthimi fatal.
Nga shpërthimi, 38-vjeçarja humbi njërën dorë dhe u plagos rëndë. Ambulanca mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe i dha ndihmën e parë, por ajo ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital.
Pas shpërthimit, vala goditëse ka shkaktuar dëme të shumta në fasadën e ndërtesës së bankës, në dyqanet pranë, në muret e pallatit dhe në disa automjete të parkuara. Copëza llamarine dhe xhami janë shpërndarë në rrugë dhe trotuar, duke krijuar një situatë paniku në zonë.
Në vendngjarje kanë mbërritur njësitë e mjekësisë ligjore dhe forca të antiterrorit, të cilat kanë zhvilluar hetime të zgjeruara për disa orë.
Sipas burimeve nga policia greke, viktima ishte një emër i njohur për autoritetet, pasi në të kaluarën ishte përfshirë në disa vepra penale, përfshirë grabitje, falsifikim dokumentesh, prostitucion, trafikim droge dhe armëmbajtje pa leje.
Hetimet për këtë ngjarje të rëndë vijojnë, ndërsa policia po përpiqet të zbulojë nëse 38-vjeçarja ka vepruar e vetme apo ishte pjesë e një grupi kriminal.