Prindërit e Martin Canit, Angel dhe Florina Cani kanë kërkuar edhe njëherë drejtësi për vrasjen e 14-vjeçarit.
Përmes një letre, ata i bëjnë thirrje institucioneve, pasi nga mosreagimi po i shkaktojnë familjen një vrasje të dytë, teksa i janë drejtuar edhe zyrtares amerikane në Shqipëri, Nancy vanHorn.
Angel dhe Florina Cani shprehen se djali i tyre u vra nga papërgjegjshmëria e sjelljes së disa institucioneve shqiptare, ndërsa kërkojnë drejtësi për autorët e përfshirë.
Letra e plotë:
Me që po ju drejtohemi juve, jemi Angel dhe Florina Cani, prindërit e djaloshit 14-vjecar Martin Cani, që prej 3 javësh mungon në vatrën tonë familjare, pasi u vra në kohën kur ne besonim që e kishim të sigurtë në shkollë, institucion që administrohet nga shteti shqiptar.
Ka mbi dy javë që po përjetojmë si një vrasje të dytë të Martinit, papërgjegjshmërinë e sjelljes së disa institucioneve shqiptare, për faktin që askush prej tyre nuk po merr përgjegjësi e të jap dorëheqje për shkak të paaftësisë së tyre që më shkaktuan humbjen e djalit.
Dhe më e pabesueshme dhe e pafalshmja është që po na vrasin dhe neve si prindër si dhe Henrin, vëllain e Martinit me tentativën për të tjetërsuar e manipuluar, duke mos e zbardhur ngjarjen qëllimisht, vetëm e vetëm për të shpëtuar fajtorët, të cilët ndryshe nga Martini jetojnë mbi dhé.
E them këtë nisur nga informacionet që njerëzit përkrah meje kanë. Diskutimet dhe debatet që po bëhen nëpër studio televizive nga gazetarë të kronikës, prokurorë, avokatë, dhe ish punonjës policie. Si dhe I frikësohemi edhe mënyrës se si ka ndodhur në tragjedi të tjera ku autorët janë ndihmuar t’i shpëtojnë ndëshkimit.
Zonja Nancy!
Kam besim te ju si nëna e një djali të mrekullueshëm dhe si përfaqësuesja e një Kombi që ka të shenjtë drejtësinë.
Ju lutem më ndihmoni duke ndjekur me seriozitet sjelljen dhe veprimet e e institucioneve ligjzbatuese shqiptare që të zbardhin ngjarjen plotësisht, e të vënë para drejtësisë, të gjithë ata që janë përfshirë në krim të drejtpërdrejtë dhe ata që janë në mbrojtje të krimit.
Ne e dimë që Martini nuk kthehet më në këtë jetë mes nesh, por të paktën drejtësia mbi ata që më vranë dhe po më rivrasin djalin, do na japë mundësinë të jemi më të qetë e të fokusohemi të Henri, vëllai i Martinit, i cili nuk e di që Martini, nuk e sheh më, nuk e puthe më, e nuk fle me të, si deri para 3 javësh.
Kam besim të Ju.
Me respekt e dhimbje në Shpirt
Angel e Florina Cani