“Po luan me zjarr me Luftën e Tretë Botërore” – Tensione të ashpra në takimin Trump-Zelensky! Vance: A ke thënë një herë faleminderit?

Takimi mes Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë është zhvilluar mes tones të ashpra dhe debatesh të forta mbi të ardhmen e Ukrainës dhe marrëdhëniet me Rusinë.

Gjatë diskutimit, Trump i bëri të qartë Zelenskyt se Ukraina duhet të bëjë kompromise për një armëpushim me Moskën, por presidenti ukrainas refuzoi këtë qasje, duke këmbëngulur se nuk mund të ketë lëshime ndaj Vladimir Putin, të cilin e quajti një udhëheqës vrasës.

Në debatin e tensionuar u përfshi edhe zv.presidenti amerikan J.D. Vance, i cili e akuzoi Zelenskyn për mungesë respekti dhe për organizimin e “tureve propagandistike”.

“A ke thënë të paktën një herë ‘faleminderit’?”, e pyeti Vance presidentin ukrainas.
Zelensky iu përgjigj shkurt: “Shumë herë”.

Ndërkohë, Trump dhe Zelensky pritet të nënshkruajnë një marrëveshje për mineralet kritike të Ukrainës, e cila do t’i siguronte Shteteve të Bashkuara qasje të konsiderueshme në burimet natyrore të vendit.

Gjatë bisedës, Zelensky sfidoi hapur Trumpin mbi qëndrimin e tij më të butë ndaj Putinit. Ai renditi rastet kur lideri rus ka shkelur marrëveshjet, ndërsa Trump kundërshtoi duke thënë se Putini nuk i ka thyer marrëveshjet me të.

Në një moment, Trump i tha Zelenskyt:
“Duhet të jesh më mirënjohës. Po luan me zjarr me Luftën e Tretë Botërore.”

Ky takim shënon një ndryshim të madh në qasjen amerikane ndaj Ukrainës, pasi Trump kërkon një përfundim të shpejtë të luftës, përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë dhe rikuperimin e miliarda dollarëve të shpenzuar nga SHBA për të mbështetur Ukrainën.