Po bënte punime në palestrën e një shkolle në Ersekë, humb jetën 70-vjeçari

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në qytetin e Ersekës, ku 70-vjeçari Dhimitraq Peci ka humbur jetën aksidentalisht gjatë punimeve në ambientet e brendshme të ndërtimit të palestrës së shkollës 9-vjeçare.

Burime të siguruara kanë bërë me dije se Peci po punonte së bashku me një koleg të tij në lartësi për vendosjen e ndriçuesve, kur ka humbur kontrollin dhe ka rënë nga një lartësi e konsiderueshme, duke gjetur vdekjen në vend.

Peci, i cili kishte dalë në pension nga shërbimi zjarrfikës i bashkisë së Ersekës, kishte pak vite që kishte përfunduar karrierën si shofer zjarrfikës.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërsa trupi i pajetë i tij është dërguar për ekspertizën mjeko-ligjore në spitalin e Korçës. Inspektoriati i Punës ka pezulluar punimet deri në përfundimin e hetimeve.