“Plumbi i Artë”/ Nuredin Dumani rrëfen në gjyq: Lokali frekuentohej nga politikanë e ministra! Do më nxirrnin nga burgu…

Vijon dëshmia maratonë e Nuredin Dumanit, i njohur si një nga vrasësit me pagesë më famëkeq në Shqipëri, tashmë i kthyer në bashkëpunëtor i drejtësisë. Në procesin gjyqësor për dosjen “Plumbi i Artë”, Dumani ka zbuluar detaje tronditëse mbi veprimtarinë kriminale të tij dhe lidhjet me emra të njohur të botës së krimit dhe më gjerë.

Gjatë seancës, Dumani rrëfeu se është bërë mik me Festim dhe Petrit Qolin në vitin 2013, duke pretenduar se ata i siguruan avokat dhe ndërhynë në sistemin e drejtësisë për ta nxjerrë nga burgu me një raport mjekësor të falsifikuar si “i sëmurë”. Ai shtoi se lokali i vëllezërve Qoli frekuentohej nga politikanë dhe ministra, pa dhënë emra konkretë.

Nga ana tjetër, dëshmia e Dumanit ka shkaktuar debate të ashpra në sallën e gjyqit, pasi Gentjan Sharra kundërshtoi deklaratat që e implikojnë atë në një ngjarje kriminale, duke theksuar se Dumani nuk e kishte përmendur më parë këtë episod para prokurorëve.

Ndërkohë, Petrit Qoli, i cili më herët ka pretenduar se mbahet në burg pa prova të mjaftueshme, gjatë seancës së fundit ka thënë se do të lutet për dy prokurorët e SPAK, të cilët i konsideron si “anëtarë të familjes”.

Dëshmitë dhe akuzat për këtë çështje të bujshme po zhvillohen me dyer të mbyllura, ndërsa procesi pritet të nxjerrë të tjera fakte dhe detaje mbi lidhjet mes krimit dhe politikës.