“Plumbi i Artë”/ Nuredin Dumani përballet me të arrestuarit: Tensione dhe kundërshtime gjatë dëshmisë me dyer të mbyllura
Në Gjykatën e Posaçme për Krime të Rënda, bashkëpunëtori i drejtësisë dhe njëherazi vrasësi me pagesë, Nuredin Dumani, ka dhënë dëshminë e tij në procesin gjyqësor “Plumbi i Artë”. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa tensionet ishin të larta mes Dumanit dhe të arrestuarve që ai ka implikuar në krime.
Një nga të arrestuarit, Gentjan Sharra, kundërshtoi ashpër deklaratat e Dumanit, duke argumentuar se në periudhën kur Dumani pretendon se ka kryer krime me të, ai zotëronte biznese, kishte fituar tenderë prej 2 milionë eurosh dhe posedonte një automjet luksoz prej 50 mijë eurosh dhe pse duhet të kishte nevojë të merrte pjesë në një grabitje për të përfituar disa mijëra euro, të cilat do të ndaheshin.
Nga ana tjetër, Petrit Qoli, një tjetër i arrestuar në këtë proces, shprehu zemërimin e tij për faktin se mbahet prej tre vitesh në burg bazuar në dëshmitë e Dumanit, duke lënë pas një grua që ai pretendon se e dashuron.
Ndërkohë, Enver Diva, gjithashtu i akuzuar, i kërkoi gjykatës që, pas përfundimit të dëshmisë së Dumanit, gazetarët të lejohen të ndjekin procesin për të pasqyruar versionin e tyre të ngjarjeve. Sipas tij, dëshmia e Dumanit nuk është e besueshme dhe kontestohet jo vetëm nga të arrestuarit, por edhe nga mbrojtësit e tyre ligjorë.
Gjykata pritet të shqyrtojë kërkesat dhe të vendosë për hapat e mëtejshëm në këtë proces të bujshëm që ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik.