“Plumbi i Artë”/ Dëshmon Skerdi Tase: U takuam me Henrik Hoxhajn për të kryer një atentat në Fier, porosia erdhi nga…

Në seancën e sotme gjyqësore për dosjen e bujshme “Plumbi i Artë”, ka dëshmuar Skerdi Tase, i penduari i tretë i drejtësisë. Ai ka rrëfyer para trupit gjykues rreth njohjes së tij me Henrik Hoxhajn dhe përfshirjes në një atentat të dështuar në qytetin e Fierit.

Tase deklaroi se takimin e parë me Hoxhajn e kishte pasur në vitin 2017, pikërisht për të realizuar një vrasje me pagesë. Sipas tij, porosia për ekzekutimin kishte ardhur nga Viron Tavanxhi, i cili kishte urdhëruar vrasjen e Gim Boriçit.

“Dolëm dhe e gjetëm atë njeriun në një lokal. Mora armën dhe shkova atje. Ai e kuptoi, u çua në këmbë, bërtiti me të madhe dhe u shtri poshtë. Mendova se e qëllova, por u largova. Armën e hodha në lumin Gjanicë”, tha Tasi gjatë dëshmisë së tij.

Pjesë nga dëshmia

Skerdi Tase: Shtetasin Henrik Hoxhaj e kam njohur nga një shok i përbashkët. Për herë të parë jemi takuar në 2017. Shoku Viron Tavanxhi me takoi me Hebrikun për të bërë ekzekutimin e një personi në Fier. Henriku kishte të gjitha të dhënat e atij personi. Ai rrinte afër rrethrrotullimit te parkut në Fier. Për ngjarjen Henriku kishte një makinë “Alfa romeo” të blerë në Fier. Henriku kishte dhe një armë pistoletë automatike.

Ditën e ekzekutimit, Henriku më thirri dhe më tha se porositësi i kishte thënë “shumë po e zgjasni atë punë”. Dolëm dhe e gjetëm atë njeriun në një lokal. Unë mora armën dhe shkova atje. Ai personi e kuptoi që isha për të. Ai u çua në këmbë, bërtiti me të madhe dhe u shtri poshtë. Unë mendova se e qëllova. Pastaj ika nëpër rrugicat e qytetit. Pistoletën e kam hedhur në Gjanicë. Porosia e Viron Tavanxhi ishte për ekzekutimin e Gim Boriçin. Unë e njihja, kisha dëgjuar për të në Fier.