“Plumbi i Artë”/ Dëshmitë tronditëse të Skerdi Tases: Vrasje për 130 mijë €, atentate të dështuara, armë në Gjanicë dhe djegie makinash pas krimeve
I penduari i tretë në dosjen e bujshme “Plumbi i Artë”, Skerdi Tase, ka dhënë dëshminë e tij përpara gjykatës së Posaçme GJKKO, ku rrëfeu një sërë ngjarjesh kriminale që përfshijnë atentate, vrasje me pagesë, tentativa të dështuara dhe bashkëpunëtorë të ndryshëm të botës së krimit.
Vrasja e vëllezërve Haxhia në Durrës: E ndihmoi ‘kusho’ Nuredini
Sipas Tases, Henrik Hoxhaj, i njohur si “Riku”, i kishte treguar atij për përfshirjen në vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në prill të vitit 2020 në Durrës, në bashkëpunim me Nuredin Dumanin. Ai e përmendi Dumanin si “kusho”, para se të mësonte emrin e tij të vërtetë.
“Riku më tha që 4 vrasje në Durrës, përfshirë vëllezërit Haxhia dhe Dorian Shkozën, i kishte bërë ky. Më tha që kishte marrë pjesë bashkë me një person që e quante ‘kusho’, që më pas mësova se ishte Nuredin Dumani.”
Henriku ishte në ankth sepse sipas Skerdi Tases, njolla e gjakut që u gjet te trupat e vëllezërve Haxhia, rezultoi të ishte e tij.
“Ishte pak në merak, pasi njolla e gjakut e gjetur tek vëllezërit Haxhia ishte e Rikut.”
Ekzekutimi i Emiljano Ramazanit për 130 mijë euro: I dola nga xhami dhe e qëllova në kokë
Skerdi Tase rrëfeu me detaje ekzekutimin e Emiljano Ramazanit në Elbasan, më 20 korrik 2020, ku mori pjesë së bashku me Henrik Hoxhajn. Sipas tij, pagesa ishte 130 mijë euro.
“Në atentat përdorëm makinë që na e siguroi Nuredini. E njëjta që do përdornim për Bujar Çelën. Dy herë makinën e kemi marrë në Bradashesh në një magazinë, që më pas mësova se ishte e Arben Lazës.”
Ata kishin katër armë me vete. Nëse atentati do të kryhej në lëvizje, planifikonin të përdornin kallashnikovë. Nëse ndryshe, pistoleta.
“Ditën e ngjarjes i shkuam tek palestra, por pamë që s’ishte vend i përshtatshëm. Kështu që e pritëm tek shtëpia.”
“Ai vinte me një Ford Fiesta. Unë zbrita, Henriku qëndroi shofer. Mora 2 pistoleta me vete. U afrova dhe e qëllova disa herë në kokë dhe qafë nga xhami i pasagjerit. Ai nuk më pa, se po merrej me telefon.”
Më pas, ata dogjën makinën me dy armë brenda, ndërsa dy të tjerat i morën me vete. Armët u fshehën pranë ca betonierëve, dhe sipas Tases, Henriku i çoi foto Nuredinit në aplikacionin SKY.
Për shpërblimin, kontaktin me porositësin e mbajti një vajzë me emrin “Klara”.
“Ne kishim marrë disa shuma ndërkohë. Duhej të ndanim 60 mijë euro me Rikun, por unë mora 25 mijë.”
Tentativa për vrasjen e Aredin Beharit: Mendova se e qëllova
Një tjetër atentat i rrëfyer nga Skerdi Tase ishte ai ndaj Aredin Beharit, por që përfundoi i dështuar. Ai rrëfeu se kishte qëlluar disa herë drejt tij jashtë një lokali në Durrës.
“Unë qëllova nga jashtë lokalit. Besoj se qëllova 5-6 herë. Ai u shtri nën tavolinë dhe mendova se e godita.”
Pasi kreu atentatin, i hodhi armët në lumin Gjanicë. Tase deklaroi se atentati ishte porositur nga Renato Çami dhe se nuk kishte marrë asnjë pagesë për këtë ngjarje për shkak të dështimit.
Atentati ndaj Gim Boriçit: Qëllova, por mu bllokua arma! M’u dogj fytyra duke djegur makinën
Tase rrëfeu edhe tentativën për vrasjen e dështuar ndaj Gim Boriçit, së bashku me Henrik Hoxhaj. Ai tregoi se fillimisht e kërkuan në spital dhe më pas e gjetën në një lokal me të vëllain.
“Henriku më tha: ‘Aq më mirë’, nëse i vrisnim të dy ishte më mirë për porositësin. Qëlluam nga 5 metra largësi. Unë kisha një kallash, Henriku një pistoletë Glock. Arma më ngeci. Henriku vazhdonte qëllonte dhe më tha, ‘qëllo se na ikën’. Nuk kisha çfarë të bëja, më ishte bllokuar.”
Gim Boriçi dhe i vëllai shpëtuan duke ikur në banesën pranë lokalit.
Më tej, ai rrëfeu edhe një incident pas atentatit:
“Ikëm për të djegur makinën. Kur dogjëm makinën, u dogja dhe vetë. Më morën flakë mjekra, flokët, dorezat.”
Dorezat që u dogjën u gjetën nga policia. Tase deklaroi se porositësi Viron Tavanxhi i kishte thënë se kishte një kushëri tek ekspertiza që mund të manipulonte provat, në këmbim të parave.