“Plumbi i Artë”, Dëshmia tronditëse e Erjon Alibej: Kam paguan 100 mijë euro për kokën e …

Në kuadër të mega-procesit gjyqësor “Plumbi i Artë”, sot ka vijuar dëshminë para gjykatës bashkëpunëtori i drejtësisë, Erjon Alibej, i cili ka hedhur dritë mbi lidhje të shumta mes grupeve kriminale, blerje armësh dhe porosi për vrasje.

Alibej tregoi se kishte paguar 100 mijë euro për vrasjen e Dorjan Shkozës.  Gjatë dëshmisë, ai përmendi emra të tjerë si Henrik Hoxha, të cilin tha se nuk e njihte personalisht, por kishte dëgjuar pseudonimet e tij “Kusho” dhe “Nipi”, si dhe lidhjet e Plarent Dervishit, i njohur me emrat e koduar “Barcelona” dhe “Gost”.

“Për Dorjan Shkozën kam paguar 100 mijë euro. Nga “Hoxha” janë blerë disa armë, çmimet varionin nga 500-1000 deri në 3.500 euro. Nuk e di saktësisht, sepse kontaktet me “Hoxhën” i kishte Sander Baho. Me Nuredin Dumanin jam takuar pas vrasjes së vëllezërve Haxhia. Por me Nuredinin isha në kontakt të vazhdueshëm. Henrik Hoxhën nuk e njihja, vetëm kam dëgjuar që kishte pseudonimet “Kusho” dhe “Nipi”, me të cilët i drejtohej Klevis Allës. Me Nuredinin flisja për Talo Çelën, nëse pas vrasjes së Dorjan Shkozës do të dilte i gjallë apo jo. Gjithashtu vijova investigimin për Altin Ndocin, i cili shkonte shpesh në Durrës, tek vëllezërit Haxhia. Klevis Alla e kishte parë një ditë Talon te shtëpia e vëllezërve Haxhia, por Nuredini e mori me rezerva. Nuredini ishte i angazhuar me qenë, i përgatitur me “çunat e Fushë-Krujës”, por emrat e tyre nuk i dija. Në aplikacionin Sky ECC më shkruajti Plarent Dervishi, kam pasur kontakt me të; ai kishte kodet “Barcelona” dhe “Gost”. Plarenti më tha: “Më bëhet qejfi që e ke gjetur Talo Çelën”. U habita nga e dinte, por më pas u kujtova që Plarenti kishte shumë muhabete me Festim Qolin. Kishim një makinë Toyota të vjedhur që e kisha blerë në Shijak. Ia dhashë Nuredinit bashkë me armët që kërkonte, në pazar të Rrogozhinës. Ishte me Klevis Allën kur i mori. Më pas Nuredini kërkoi edhe 50 mijë euro. Ia çova me një mikun tim dhe në total i çova 150 mijë euro, për të vijuar. Këtë e bëra që edhe Nuredini të shihte që unë kisha lekë dhe të më besonte.” dëshmoi Alibej.

Procesi “Plumbi i Artë” pritet të zbulojë skemat më të ndërlikuara të kriminalitetit të organizuar në Shqipëri, me rrjete që shtrihen në disa qytete dhe që dyshohet se kanë qenë aktive për vite me radhë. Dëshmitë e Alibejt janë kyçe për hetimin.