“Plumbi i artë”/ Alibej rrëfen atentatin ndaj vëllezërve Haxhia: Objektivi ishte Altin Ndoci, jo Viktori! Gjaku në makinë…

Bashkëpunëtori i drejtësisë, Erjon Alibej, ka dhënë një tjetër dëshmi tronditëse në kuadër të dosjes së bujshme “Plumbi i artë”. Ai është ndalur tek atentati mafioz ndaj vëllezërve Haxhia, i ndodhur në prill të vitit 2020 në zonën e Shkozetit në Durrës, ku mbetën të vrarë Besmir, Viktor dhe Bujar Haxhia.

Sipas dëshmisë së Alibejt, qëllimi i grupit ishte të eliminonin Besmir Haxhinë dhe Altin Ndocin, ndërsa viktima Viktor Haxhia nuk ishte në planin e atentatit dhe ndodhej rastësisht në vendngjarje.

“Për vrasjen e vëllezërve Haxhia i kam dhënë Nuredinit 2 kallashë dhe 1 pistoletë, mesa kujtoj. Ça më kërkonte ja jepja. Armët ja dhashë bashkë me makinën. Plani ishte për të vrarë Altin Ndocin dhe Besmir Haxhinë, jo Viktorin. Doli shpejt lajmi në TV, që u gjet e braktisur ‘Tojota’. I thashë Nuredinit pse kishte gjak në makinë, më tha: kemi qëlluar me xhama të mbyllur dhe nga ciflat është lënduar në këmbë ‘kusho’ (Klevis Alla)”, tregoi Alibej.

Më tej, ai shtoi se pas atentatit, kur në polici u shoqërua një person i identifikuar si “nipi”, Nuredin Dumani filloi të dyshonte se ai mund të kishte nisur të bashkëpunonte me policinë.

“Nuredini më tha se ‘më duket se ky po flet’. E kishte dëgjuar nga komshinjtë, nga ‘Miri i Pojës’, që ishte mik i tij. Viktor Haxhia ka qenë rastësisht aty. Në makinë ka qenë dhe Altin Ndoci, por ka zbritur rrugës. Ai ishte objektiv, nuk e kanë ditur që në makinë ishte Viktori”, tha më tej Alibej.