Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila dënoi Princ Lekën me 16 muaj shërbim prove për një çështje të karakterit familjar. Sipas PLL-së, vendimi është i motivuar politikisht dhe ka për qëllim dëmtimin e imazhit të figurës së Princ Lekës.
Në një deklaratë zyrtare, PLL e konsideron këtë vendim një farsë të ndikuar nga tradita e ndikimeve politike, duke vënë në dukje se gjyqtarja që dha vendimin, Migena Laska, është vajza e Fatmira Laskës, ish-gjyqtare e regjimit komunist që dënoi me vdekje poetin Havzi Nela.
Deklarata e PLL-së: Princi Leka është një figurë e kulluar, shumë e respektuar, e njohur për përkushtimin e tij ndaj vlerave të paqes, shërbimit publik dhe mbajtjes lart të vlerave kombëtare. Akuzat ndaj tij burojnë nga një çështje private familjare, e cila është trajtuar në mënyrë të paarsyeshme dhe disproporcionale. Qëllimi duket se ka qenë dëmtimi i imazhit të tij dhe jo zgjidhja e drejtë e çështjes.
PLL shton se ky vendim është pjesë e një fushate të drejtuar nga “strukturat kriminale komuniste” që kanë synuar për dekada të asgjësojnë Familjen Mbretërore Shqiptare.
Partia i bën thirrje Gjykatës së Apelit që ta trajtojë këtë rast me paanësi dhe integritet profesional, duke theksuar se një vendim i tillë dëmton jo vetëm reputacionin e Princ Lekës, por edhe besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Në përfundim, PLL thekson nevojën për reforma të thella në sistemin e drejtësisë për të eliminuar ndikimet politike dhe për të rikthyer besimin e publikut.
Kjo çështje ka ngjallur debat të gjerë, duke rikthyer në vëmendje lidhjet mes drejtësisë aktuale dhe ndikimeve politike apo historike të së kaluarës komuniste.
Reagimi i plote
Deklaratë nga Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL) lidhur me Vendimin ndaj Princ Lekës
Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL) shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës së Shkallës së Parë, ku gjyqtarja Migena Laska dënoi Princ Lekën me 16 muaj shërbim prove. Ne e konsiderojmë këtë vendim të padrejtë dhe të ndikuar nga motive politike, duke vënë në dyshim integritetin e procesit gjyqësor.
Është për t’u theksuar se gjyqtarja Migena Laska është vajza e Fatmira Laskës, gjyqtarja që gjatë regjimit komunist dënoi me vdekje poetin Havzi Nela. Kjo lidhje ngre pyetje të rëndësishme mbi traditën e ndikimeve politike dhe mungesën e paanshmërisë që vijon të karakterizojë disa segmente të sistemit tonë të drejtësisë.
Princi Leka është një figurë e kulluar, shume e respektuar, e njohur për përkushtimin e tij ndaj vlerave të paqes dhe shërbimit publik si dhe te mbajtjes larte te vlerave kombetare. Akuzat ndaj tij burojnë nga një çështje private familjare, e cila është trajtuar në mënyrë të paarsyeshme dhe disproporcionale, duke lënë të kuptohet se qëllimi ka qenë më shumë dëmtimi i imazhit të tij sesa zgjidhja e drejtë e çështjes. Ne ngreme shqetesimin se ne kete rast kemi fillimin e nje fushate per te cuar deri ne fund direktivat dhe projektin politik te bandes kriminale komuniste e cila ka marre peng Shqiperine qe me daten 28 Nentor 1944, per asgjesimin te Familjes Mbreterore Shqiptare. Vlen ti kujtojme opinionit te gjere se Princi Leka II, eshte denuar me vdekje nga regjimi gjakatar, kriminal komunist qe ne lindjen e Tij. Pjese e kesaj farse eshte edhe prokurori i rastit qe gjithashtu ka lidhje te forta me regjimin komunist duke qene nje nga pasardhesit e Gogo Nushit, pjese e asaj strukture komuniste qe vazhdon te terrorizoje Shqiperine qe nga viti 1941.
Pra thene me qarte, ne jemi të shqetësuar për shenjat e qarta të ndikimeve politike, akoma të tipit sigurim shteti dhe krimi komunist, dhe prapavijave të tjera që duket se kanë ndikuar këtë vendim. Kjo situatë, përveçse dëmton reputacionin e Princ Lekës, forcon perceptimin negativ që qytetarët kanë ndaj një sistemi gjyqësor që shpesh shihet si i ndikuar dhe i padrejtë.
PLL i bën thirrje Gjykatës së Apelit që ta trajtojë këtë rast me paanësi dhe profesionalizëm, duke e rishikuar vendimin mbi bazën e fakteve dhe drejtësisë. Besimi i publikut tek sistemi i drejtësisë nuk mund të rikthehet për sa kohë që vendimet e marra nuk reflektojnë parimet e ligjit dhe integritetin.
Ne qëndrojmë plotësisht në mbështetje të Princ Lekës, të bindur në pafajësinë e tij dhe në vlerat që ai përfaqëson. Po ashtu, këtë rast e shohim si një moment për të kërkuar me forcë reforma të thella dhe të mirëfillta në sistemin e drejtësisë, me qëllim eliminimin e çdo ndikimi politik apo të interesave të ngushta.
Faleminderit.
Partia Lëvizja e Legalitetit