Plas skandali te “HARIBO”, tërheq pakot me ëmbëlsira pasi u gjet kanabis
Është një nga produktet më të pëlqyera nga fëmijët në botë, por në Holandë, kompania e Haribos është në qendër të skandalit.
Haribo ka tërhequr nga tregu pakot e saj pasi disa prej tyre u gjetën me gjurmë kanabisi. Anëtarë të një familje u ndjenë keq pasi konsumuan nga pako 1 kilogramëshe e “Haribo Happy Cola F!ZZ”.
Një zëdhënës i organit të sigurisë ushqimore në Holandë (NVWA) tha se tre pako u gjetën të kontaminuara, por Haribo po tërheq të gjithë stokun e saj si masë paraprake.
Qeset në fjalë kanë një datë përdorimi para janarit 2026, ndërsa policia po hetonte se si kanabisi përfundoi në to. Nuk është e qartë nëse produktet e kontaminuara janë pako origjinale Haribo apo të rreme. Gjigandi i ëmbëlsirave tha se tërheqja ishte në fuqi vetëm në Holandë, ndërsa rajonet e tjera nuk u prekën.