Plas skandali me fondet publike! PC STORE “paracakton” veten si fituese në tenderin e Kuvendit për inteligjencën artificiale
Një tjetër skandal i mundshëm me fondet publike po merr formë, këtë herë brenda institucionit më të lartë ligjvënës të vendit – Kuvendit të Shqipërisë. Ky i fundit ka shpallur së fundmi një tender me objekt: “Blerje e sistemit të transkriptimit të të dhënave audio-video të Kuvendit, bazuar në inteligjencën artificiale dhe shërbim mirëmbajtjeje për 48 muaj”, me një fond limit prej 74.5 milionë lekësh pa TVSH.
Fituese e këtij tenderi rezulton të jetë kompania PC STORE, një emër i njohur për përfshirjen e vazhdueshme në tendera publikë të kontestuar. Fitorja është gati e parashikueshme, duke parë historikun e kompanisë dhe mënyrën sistematike me të cilën ka siguruar kontrata publike ndër vite.
Fitore në kufijtë e fondit limit: Një taktikë e njohur
PC STORE njihet për ofertat që pozicionohen çuditërisht pranë fondit limit të tenderit – një praktikë që ngre dyshime serioze për manipulim të garës dhe eliminim të konkurrencës reale. Një rast i spikatur është ai i Bashkisë së Tiranës, ku kompania fitoi një tender për pajisje kompjuterike me një ofertë që mbulonte 99% të fondit limit.
Kompani me precedentë penalë: Nga përjashtimi në rikthim triumfues
Në vitin 2024, PC STORE u përjashtua për shtatë muaj nga tenderat publikë për shkak të mashtrimit në një kontratë me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, kompania kishte dorëzuar pajisje me parametra më të ulët nga ato të përcaktuara në kontratë – një veprim që i solli fitime të padrejta në kurriz të buxhetit të shtetit.
Pavarësisht këtij rasti flagrant, PC STORE është rikthyer fuqishëm në skenën e prokurimeve, duke përfituar kontrata të rëndësishme – madje edhe me vetë Kuvendin, simbolin e “sovranitetit të popullit”.
Strukturë pronësie dhe lidhje të errëta
Kompania në fjalë, me NIPT L01606034A, ka si administrator Vitator Mehmeti, që zotëron 39% të aksioneve, ndërsa Elton Mehmeti zotëron 61%. Të dy janë përmendur në disa raporte të KLSH për manipulime në zbatimin e kontratave publike dhe furnizime fiktive, përfshirë edhe raste ku janë dorëzuar produkte të ndryshme nga ato të kontraktuara.
Një rekord që sfidon çdo logjikë
Sipas të dhënave nga Open Procurement Albania, PC STORE ka marrë pjesë në 108 tendera dhe ka fituar 107 prej tyre – një përqindje që nuk mund të justifikohet me eksperiencë apo cilësi, por më tepër me ndikime të jashtme dhe dyshime për garë të mbyllur.
Në disa raste, kompania është skualifikuar për mospërputhje me kriteret teknike, por ka paraqitur ankesa të cilat, në shumicën e rasteve, janë rrëzuar nga komisionet përkatëse – një tjetër element që shton dyshimet për favorizim sistematik.
Digjitalizimi i Kuvendit apo mbulesë për një aferë tjetër?
Ndërkohë që qytetarëve u prezantohet ideja e një Kuvendi modern, me teknologji të avancuar dhe inteligjencë artificiale, në prapaskenë po ndodh e kundërta. Kjo “modernizim” po shërben si justifikim për kalimin e një tenderi të fryrë, me vlerë të lartë, drejt një kompanie që është konsideruar e pabesueshme nga vetë institucionet publike.
Ironikisht, bëhet fjalë për një sistem që do të transkriptojë çdo fjalë të deputetëve, ndërsa në heshtje mbulon praktika që, në çdo shtet me drejtësi funksionale, do të ishin objekt hetimi penal.
A do reagojnë SPAK dhe KLSH?
Duke marrë parasysh:
•përjashtimin për mashtrim në një tender shtetëror,
•praktikat sistematike të ofertave pranë fondit limit,
•mungesën e konkurrencës reale,
ky tender i Kuvendit meriton një hetim të thelluar nga SPAK, ndërsa Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet të kryejë një audit të plotë të procedurës së prokurimit.
Nëse vërtet synojmë një administratë të ndershme dhe një sistem prokurimi të drejtë, nuk mund të lejojmë që kompani me precedentë penalë të kthehen si “zgjidhje teknologjike” për institucionet më të larta të shtetit. / PUBLIK. AL