Plani për mandatin e Alimehmetit/ PD kërkon rinumërim të votave në Tiranë, synon ndryshimin e rezultatit
Partia Demokratike ka nisur një betejë ligjore për të siguruar në tavolinë mandatin e 14-të në qarkun e Tiranës, që aktualisht i ka shpëtuar Ilir Alimehmetit për një diferencë shumë të ngushtë votash.
Përmes përfaqësuesit të saj ligjor në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Franci Nuri, PD ka bërë të ditur se do të kërkojë hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave, me fokus të veçantë në rivlerësimin e fletëve të pavlefshme.
“Rezultati është mjaft i ngushtë në lidhje me mandatin e 14-të. Mandati është diskutim mes Partisë Demokratike Aleancës për Shqipërinë Madhështore dhe partisë së z. Agron Shehaj. Fletët e pavlefshme janë një opsion, nuk mund të anashkalohen, pasi janë rreth 17-18 mijë fletë votimi të pavlefshme në gjithë qarkun e Tiranës dhe patjetër që duhet të jenë pjesë e shqyrtimit dhe vlerësimit në gjykimin tonë”, deklaroi Nuri për TCH.
Por Partia Demokratike nuk do të kufizohet vetëm te fletët e pavlefshme. Ajo do të kërkojë edhe verifikimin e materialeve zgjedhore në çdo qendër votimi ku dyshohet për parregullsi. Sipas Nurit, nëse përjashtohet nga përllogaritja një apo më shumë qendra votimi me probleme, mund të ndryshojë ndarja e mandateve, pasi diferenca është më pak se 100 vota.
“Opsioni tjetër është duke parë materialet zgjedhore për çdo qendër votimi ku ne gjykojmë se ka pasur probleme dhe nëse hiqet një qendër votimi nga përllogaritja e rezultatit, aty mund të ndryshojë mandati pasi diferenca ka qenë më pak se 100 vota”, u shpreh ai.
PD po kërkon rrëzimin e zgjedhjeve jo vetëm në qarqet ku ka humbur, por edhe në ato ku ka fituar. “Është vendimmarrje politike e PD, pasi farsa ishte kudo prezente, kudo ka pasur probleme edhe pse ia dolëm të fitojmë”, shtoi Nuri.