Plagosje me thikë në shkollën e mesme në Mat, 17-vjeçari në gjendje të rëndë dërgohet me helikopter drejt Traumës
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në ambientin sportiv të shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti” në fshatin Baz, Mat, ku një 17-vjeçar është plagosur me thikë nga një bashkëmoshatar. Policia ka bërë të mundur identifikimin dhe shoqërimin e autorit të dyshuar, një 18-vjeçar me iniciale D.L.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30, pas një konflikti për motive të dobëta mes dy të rinjve. 17-vjeçari u transportua fillimisht në spitalin e Bulqizës, por për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, është dërguar me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Njoftimi i policisë:
“Sot, rreth orës 10:30, në ambientin sportiv të shkollës së mesme në fshatin Baz, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi D.L., 18 vjeç, ka goditur me mjet prerës një 17-vjeçar, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Falë veprimeve të shpejta, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat bënë të mundur kapjen dhe shoqërimin në Komisariat të autorit të dyshuar.”
Policia bën me dije se dy të rinjtë nuk kanë pasur konflikte të mëparshme. Ndërkohë, grupi hetimor vijon hetimet për të zbardhur rrethanat dhe dinamikën e plotë të ngjarjes. Mjeti prerës i përdorur në konflikt është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.