Plagosja në Pogradec/ Pas autorit, arrestohet edhe personi që e ndihmoi të largohej nga vendngjarja
Policia e Pogradecit ka vënë në pranga një 44-vjeçar që ndihmoi autorin e plagosjes së një 36-vjeçari të largohej nga vendngjarja. Ngjarja ndodhi më 29 mars 2025 në lagjen nr. 3 të qytetit, ku shtetasi M. T., 36 vjeç, mbeti i plagosur me mjet prerës.
Pas arrestimit të autorit të dyshuar, L. O., për plagosje të rëndë me dashje dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta, hetimet zbuluan se në ndihmën e tij ishte përfshirë edhe shtetasi Simon Jesku. Ai ndodhej në automjetin me të cilin autori u largua nga vendi i ngjarjes.
Gjithashtu, hetimet konstatuan se Simon Jesku kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të dhënë nga Gjykata e Korçës për drejtim të parregullt të mjetit. Pas identifikimit, ai u arrestua për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Korçës për veprime të mëtejshme ligjore.