Plagosja me armë në një restorant në Tiranë, detajet: Dyshohet për konflikt për para me fajde! Autori braktisi armën në vendngjarje

Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me plagosjen me armë zjarri që ndodhi mbrëmjen e djeshme në një restorant në rrugën “Sami Frashëri” në Tiranë.

Në bazë të dëshmive të dëshmitarëve dhe pas këqyrjes së kamerave të sigurisë mësohet se 7 persona kanë qenë të ulur së bashku në një tavolinë brenda në restorant te rruga “Sami Frashëri”, ndërsa 2 prej tyre janë konfliktuar me fjalë dhe më pas kanë goditur njëri-tjetrin.

Sherri ka nisur nga dy persona. Njëri u ka dhënë të gjithëve dorën dhe njëri prej këtyre nuk ia ka dhënë, duke e ofenduar, dhe më pas janë përplasur fizikisht dhe me karrige. Gjatë sherrit është qëlluar edhe me armë zjarri dhe më pas janë larguar me 4 makina me shpejtësi të gjithë nga vendi i ngjarjes për t’i shpëtuar policisë.

Sapo ka mbërritur brenda në lokal, policia ka konstatuar një gëzhojë dhe njollat e gjakut brenda ambientit të restorantit ku ndodhi konflikti. Po ashtu, ka sekuestruar edhe armën e zjarrit tip pistoletë, e cila ishte lënë brenda në restorant nga autori, pasi dyshohet që gjatë përleshjes fizike i ka rënë në tokë. Arma është dërguar në laborator për t’u bërë ekspertiza për të zbuluar ADN dhe shenjat e gishtave.

Pas këtij sherri, dyshohet se nga e shtëna me armë është plagosur një person, i cili dyshohet se u transportua në një spital privat. Ndërsa, sipas informacioneve paraprake, mësohet se përplasja mes tyre ka ndodhur për paratë me fajde.

Deri më tani, nuk ka asnjë informacion rreth identitetit dhe moshës së të plagosurit, apo të personave të tjerë të pranishëm në vendngjarje. Edhe pse kanë kaluar 12 orë nga ngjarja, policia ende nuk ka sjellë një njoftim zyrtar.