Prokurorja e ngjarjes në gjimnazin në fshatin Çakran të Fierit, ka folur për mediat lidhur me hetimet e konfliktit me thikë mes dy nxënësve 17-vjeçarë mëngjesin e sotëm.
Oliana Gjergjefi tha për mediat se është ngritur një grup hetimor, i cili ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes për të zbardhur dinamikën e sherrit mes dy nxënësve.
Prokurorja tha se dëshmitarë gjatë momentit që dy adoleshentët janë konfliktuar kanë qenë dy mësuese.
Teksa e cilësoi ngjarjen të rëndë, ajo tha se nuk mund të ndajë detaje të tjera nga hetimi , deri në një moment të dytë.
“Është ngritur grupi hetimor, që ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes. Gjithashtu kemi pyetur disa dëshmitarë okularë, dy mësuese të cilat kanë qenë të pranishme gjatë konfliktit. Ngjarja është e rëndë, garantojmë hetim të plotë dhe të gjithanshëm, kaq mund të themi për momentin. Nuk mund të deklarojmë asgjë më tej”, u shpreh Gjergjefi.
Kujtojmë se gjatë një konflikti të çastit dy nxënësit nga 17 vjeç secili u përleshën fizikisht, ndërsa njëri prej tyre nxori thikën, duke lënë të plagosur bashkëmoshatarin e tij.
Ndërsa autori me inicial B.D është shoqëruar në polici. Burime bëjnë me dije se autori kishte ardhur në shkollë me thikë me vete.