Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e së enjtes (30 janar) në Fushë Mëzez, ku një 15-vjeçar u plagos aksidentalisht me armë zjarri nga xhaxhai i tij, Nazmi Pellumbi. Ngjarja ndodhi pas një konflikti të ashpër mes dy vëllezërve binjakë, i cili përshkallëzoi deri në përdorimin e armëve.
Sipas hetimeve të policisë, tre vëllezërit e familjes Pellumbi jetonin në një banesë njëkatëshe në Fushë Mëzez, secili me hyrjen e tij. Konflikti nisi mes binjakëve Florent dhe Nazmi Pellumbi, të cilët u përplasën fizikisht në oborr për motive ende të paqarta. Pjesëtarë të tjerë të familjes ndërhynë për t’i ndarë, por pas sherrit, Nazmi Pellumbi u fut në banesë, mori një automatik dhe u rikthye për të qëlluar drejt vëllait të tij binjak.
Dëshmitarët kanë treguar për policinë se binjakët janë përleshur fizikisht për të tërhequr armën nga duart e njëri-tjetrit. Në këtë moment, e gjithë familja u përfshi në panik, ndërsa plumbat e lëshuara goditën aksidentalisht nipin e tyre 15-vjeçar.
Adoleshenti nuk ndodhej në shtëpi në momentin e sherrit. Ai po kthehej në banesë kur dëgjoi të bërtiturat dhe të shtënat dhe u afrua te porta kryesore e shtëpisë. Në këtë moment, plumbat e dalë nga arma e xhaxhait e kapën atë.
Pamjet e siguruara nga policia tregojnë se 15-vjeçari u qëllua me tre plumba – një në kraharor dhe dy në krah. Fatmirësisht, porta e shtëpisë, e cila ishte prej llamarine, ndaloi disa nga plumbat dhe i shpëtoi jetën adoleshentit.
Pasi u qëllua, i mituri u transportua menjëherë nga babai i tij në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por mbetet në kujdesin e mjekëve.
Fillimisht, familjarët dhanë dëshmi kontradiktore për policinë, duke mos treguar rrethanat e sakta të plagosjes. Vetë 15-vjeçari, në pyetjen e parë, pretendoi se ishte qëlluar nga një makinë e zezë që kaloi pranë shtëpisë. Ishte nëna e tij ajo që prishi heshtjen familjare dhe tregoi për konfliktin mes kunetërve.
Pas kësaj dëshmie, policia analizoi vendin e ngjarjes dhe gjeti gjurmë plumbash në portën e shtëpisë, duke përforcuar versionin e dhënë nga nëna e të miturit.
Gjatë kontrollit në banesën e Florent Pellumbit, policia zbuloi dhe sekuestroi një sasi kokaine, duke ngritur dyshime se konflikti mes vëllezërve binjakë mund të ketë lidhje me aktivitetin e tyre të paligjshëm të shpërndarjes së drogës.
Nazmi Pellumbi është shpallur në kërkim për veprat penale:
• “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë,
• “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”,
• “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.
Ndërkohë, Florent Pellumbi është arrestuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Policia e Tiranës vijon kontrollet për kapjen e Nazmi Pellumbit, ndërsa hetimet po përqendrohen edhe në zbardhjen e plotë të motiveve të sherrit mes binjakëve. Po ashtu, autoritetet po verifikojnë nëse ata ishin të përfshirë në një rrjet më të gjerë të shpërndarjes së lëndëve narkotike.