Plagosi oficerin e policisë, qëllohet për vdekje 25-vjeçari në Beograd
Një sulmues me hark plagosi një oficer policie serb që ruante Ambasadën Izraelite në Beograd të shtunën, tha Ministria e Brendshme e Serbisë. Oficeri u përgjigj duke e qëlluar për vdekje sulmuesin.
Zyrtarët serbë dhe izraelitë thanë se indikacionet fillestare tregonin terrorizmin si motiv.
Ministri i Brendshëm Ivica Daçiç tha në një deklaratë se sulmuesi qëlloi me plumb oficerin, duke e goditur në qafë. Ai tha se oficeri më pas “përdori një armë në vetëmbrojtje për të qëlluar sulmuesin, i cili vdiq si pasojë e plagëve të tij”.
Polici ishte i vetëdijshëm kur u transportua në spitalin kryesor të urgjencës në Beograd dhe iu nënshtrua një operacioni për të hequr plumbin nga qafa e tij. Zyrtarët e spitalit thanë se ai ishte në gjendje të qëndrueshme pas operacionit.
Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme Izraelite tha se “sot pati një tentativë sulmi terrorist në afërsi të Ambasadës Izraelite në Beograd”. Zëdhënësi tha se ambasada është e mbyllur dhe asnjë punonjës i ambasadës nuk u lëndua.
Daçiç u tha gazetarëve se një hetim ishte duke vazhduar, por “tani ka të gjitha indikacionet se motivet lidhen me terrorizmin. Sepse nuk ka asnjë motiv tjetër pse dikush do të sulmonte një xhandar jashtë Ambasadës Izraelite”.
Daçiç e identifikoi sulmuesin si një serb 25-vjeçar që u konvertua në Islam. Policia po heton rrjetin e tij të mundshëm dhe lidhjet me grupet e huaja terroriste pasi një person tjetër u arrestua pranë vendit të të shtënave, shtoi ai.
“Ka indikacione se ata janë individë të njohur tashmë për shërbimet e sigurisë … lëvizja vehabiste”, tha Daçiç, duke iu referuar lëvizjes islamiste të vijës së ashpër. “Por kjo ende nuk është konfirmuar”.
Autoritetet ngritën alarmin e sigurisë në Beograd, duke përfshirë ambasadat e huaja dhe ndërtesat qeveritare, por edhe vendet publike si qendrat tregtare dhe zonat e tjera të ngarkuara.
Ambasada e Izraelit ndodhet jo shumë larg Ambasadës së SHBA-së në një lagje luksoze të Beogradit. Ajo ruhet nga një njësi elitare policore me oficerë të armatosur me armë automatike.
Serbia ka mbajtur marrëdhënie të ngushta me Izraelin gjatë luftës në Gaza.