Plagosi me thikë bashkëshorten në Sarandë, rrestohet 55-vjeçari

Një 55-vjeçar është arrestuar nga policia e Sarandës, 24 orë pasi plagosi me thikë bashkëshorten e tij. I dyshuari, me iniciale A. B., u ndalua në vendin e quajtur “Kthesa e Kakomës”, pasi ishte bërë i pamundur largimi i tij për shkak të kontrolleve të shumta policore.

Ngjarja ndodhi një ditë më parë, rreth orës 17:40, në lagjen nr. 4 të Sarandës, ku A. B. dyshohet se, pas një konflikti për motive të dobëta, plagosi me mjet prerës bashkëshorten e tij, 51-vjeçaren M. B. Kjo e fundit ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Policia e Sarandës bëri të ditur se pas hetimeve intensive dhe operacioneve në terren, autori u lokalizua dhe u arrestua brenda 24 orëve nga ngjarja.

Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprime të mëtejshme procedurale.