Plagosi me armë zjarri kushëririn e kryebashkiakut të Kukësit, zbardhet dëshmia e autorit: Po të doja t’i vrisja…

Është zbardhur dëshmia e Sebastian Muçmatës, autorit të dyshuar për plagosjen e Elvis Halilajt, kushëririt të kryebashkiakut të Kukësit, Albert Halilaj.

Sipas dëshmisë së Muçmatës, konflikti ka shpërthyer për shkak të detyrës së vëllait të tij, Zenel Muçmatës, i cili mban postin e Drejtorit të Shërbimit Publik në Bashkinë Kukës. Muçmata ka shpjeguar se nuk kishte qëllim të vriste askënd, por ka vepruar në vetëmbrojtje pasi Qerim Halilaj, vëllai i të plagosurit, i ka drejtuar armën babait të tij, Izet Muçmata.

Në ato momente, Sebastian Muçmata mori një pistoletë nga makina dhe qëlloi në drejtim të rrugës ku ndodheshin dy vëllezërit Halilaj. Ai theksoi se, po të kishte pasur qëllim vrasjen, do të kishte arritur ta realizonte, por synimi i tij ishte vetëm të mbronte veten dhe familjen.

Konflikti dyshohet të ketë nisur për shkak të ndikimit të Zenel Muçmatës në largimin e Elvis Halilajt nga puna. Aktualisht, Zenel Muçmata nuk është ndaluar, ndërsa hetimet për ngjarjen vazhdojnë.

Sebastian Muçmata përballet me akuzat për “vrasje me dashje në bashkëpunim e mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, sipas Kodit Penal.