Plagosi kushëririn e kryebashkiakut, lihet në burg drejtori në Bashkinë Kukës dhe dy bashkëpunëtorët

Prokuroria e Kukësit ka lënë në burg Zenel Muçmatën dhe dy bashkëpunëtorët në plagosjen e ndodhur pak ditë më parë në fshatin Bicaj.

Muçmata, me detyrë drejtor i drejtorisë së Shërbimeve më Bashkinë Kukës plagosi me armë 29-vjeçarin Elvis Halilaj, (kushëriri i Kryetarit të Bashkisë Kukës Albert Halilaj).

NJOFTIMI I PROKURORISË:

Tre persona u arrestuan me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Kukës, nën akuzë për veprat penale ‘Vrasje me paramendim’ e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë, ‘Armëmbajtje pa leje’ dhe ‘Përkrahje e autorit të dyshuar për një krim’.
 
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr. 72 të vitit 2025, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në bashkëpunim me forcat operacionale të Drejtorisë së Pergjithshme të Policisë së Shtetit arrestuan shtetasit;
 
1. Z. M., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë dhe “Armembajtje pa leje” parashikuar nga nenet 78,25,22, 278 te Kodit Penal;
 
2. G.P., i dyshuar për veprën penale “Përkrahje e autorit të dyshuar për një krim” parashikuar nga neni 302 te Kodit Penal; dhe
 
3. E. A., i dyshuar për veprën penale të “Përkrahje e autorit të dyshuar për një krim” parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal.
 
Ky operacion ishte në vijim të hetimeve të plagosjes së ndodhur më 19.02.2025 në qytetin e Kukësit, ku shtetasi E.H. mbeti i plagosur me armë zjarri pas një konflikti. Pas kësaj ngjarjeje ndaj shtetasit Z.M. ishte caktuar masa e arrestit në burg në mungesë.

Si nisi konflikti?

Fillimisht konflikti ka nisur në vendin e quajtur “Sheshi i Agjensisë Bicaj” për motive të dobëta, ku Halilaj e ka goditur me grushte Muçmatën. Pas përplasjes fizike Elvis Halilaj është larguar në drejtim të fshatit të tij, por është ndjekur nga autori Zenel Muçmata dhe sa po ka ndaluar pranë banesës makina e Halilajt autori ka shtënë një herë.

Plumbi i dalë nga arma e autorit të dyshuar Zenel Muçmata e ka kapur në pjesën e pasme të plagosurin, i cili është jashtë rrezikut për jetën.