Plagoset me thikë nxënësja e shkollës 9 vjeçare, arrestohet autori i dyshuar! Merren në pyetje dy dëshmitarë, si paraqitet gjendja e vajzës

Një rast plagosje është shënuar në Kosovë, ku një nxënëse e shkollës “8 Marsi”, Pejë, është sulmuar me thikë ditën e sotme rreth orës 08:30 të mëngjesit.

Sipas medias Insajderi, vajza është plagosur nga një nxënës po i kësaj shkolle, i cili është arrestuar nga uniformat blu. Ka qenë stafi i shkollës ai që ka lajmëruar policinë për rastin e rëndë.

Zëdhënësi i Policisë së Pejës, Fadil Gashi, ka folur për median “Insajderi”, duke u shprehur se autori i dyshuar është arrestuar dhe mjeti prerës (thikë), me të cilën dyshohet të ketë ndodhur ngjarja është sekuestruar.

Sipas Gashit, janë marrë në pyetje dy dëshmitarë të cilët kanë qenë të pranishëm në vendngjarje, ndërsa vajza e plagosur ndodhet në spital ku po merr trajtim mjekësor.

“Sot rreth orës 08:30 policia është njoftuar nga stafi i shkollës “Tetë Marsi” se një nxënëse është lënduar. Policia ka dalur në vendin e ngjarjes, e ka arrestuar të dyshuarin, viktima është dërguar emergjencën e spitalit për tretman mjekësor. Janë shoqëruar në stacion policor edhe dy dëshmitarë, të cilët janë intervisuar. Ëshët konfiskuar mjeti i mprehtë – thika me të cilën dyshohet se u krye vepra. Është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ndaj të dyshuarit – nxënës i kësaj shkolle e ka caktuar masën e ndalimit prej 44 orëve. Rasti u cilësua si lëndim i lehtë dhe mbajtje në pronësi, kontrollë i pa autorizuar i armëve”, tha Gashi për Insajder