Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në shkollën “Gjergj Kastrioti” në fshatin Baz të Matit ku një nxënës 17-vjeçar është plagosur me thikë.
I riu u dërgua me urgjencë në Spitalin e Burrelit për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Ende nuk dihen motivet e ngjarjes, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorit.
Gjendja shëndetësore e 17-vjeçarit raportohet e stabilizuar.
Njoftimi i Policisë:
Mat
Dyshohet se plagosi me mjet prerës një 17-vjeçar, Policia identifikon dhe shoqëron autorin e dyshuar.
Sot, rreth orës 10.30, në ambientin sportiv të shkollës së mesme në fshatin Baz, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi D.L., 24 vjeç, ka goditur me mjet prerës një 17-vjeçar, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Falë veprimeve të shpejta dhe reagimit të menjëhershëm, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat bënë të mundur kapjen dhe shoqërimin në Komisariat të autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasin D.L.
Gjatë veprimeve lidhur me këtë ngjarje, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale mjeti prerës që dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat dhe dinamikën e plotë të ngjarjes.