Plagosen me armë dy persona në Malësi të Madhe, në kërkim autori
Dy persona kanë mbetur të plagosur me armë zjarri në fshatin Vrakë të Malësisë së Madhe mëngjesin e kësaj të diele.Besmir Çofi dhe Avenir Hasanaj u qëlluan në hyrje të një lokali. Ata janë dërguar në spitalin e Shkodrës për ndihmë mjekësore.
Ndërkohë policia ka shpallur në kërkim autorin e kësaj ngjarje, Lul Rakajn. “Në ndihmë të Policisë Vendore për kapjen e autorit kanë shkuar dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër dhe vijojnë kontrollin e zonës dhe në ambiente të ndryshme ku dyshohet se mund të jetë fshehur autori i dyshuar”, njoftoi policia.
Në Malësi të Madhe kanë mbërritur edhe dy grupe të forcave speciale RENEA që po punojnë për kapjen e autorit, i cili është arratisur i armatosur. Dyshimet janë që mes të plagosurve dhe autorit ka pasur një konflikt që ka ndodhur para një jave në Koplik.
Megjithatë policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti. Dëshmia e dy të plagosurve pritet të hedhë më shumë dritë mbi ngjarjen.