Një studim i fundit i Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw) lajmëron se emigracioni në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të vijojë të jetë i fortë edhe në vitet në vijim.
Studimi që analizon trendet e emigrimit tregon një dëshirë më të lartë për të emigruar tek të rinjtë dhe te personat e shkolluar. Kjo do të ndodhë për dy arsye kryesore. E para janë faktorët shtytës në Shqipëri dhe Rajon që përfaqësojnë papunësinë e lartë te të rinjtë, pagat e ulëta dhe mungesën e mundësive për rritje në karrierë dhe në zhvillim njerëzor.
Vendet e Ballkanit Perëndimor Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë secila në rrugën e tyre drejt anëtarësimit të Bashkimit Europian. Studimi thotë se anëtarësimi në Bashkimin Europian mund të ofrojë avantazhe të rëndësishme socio-ekonomike për shtetet kandidate, por ka edhe rreziqe.
Tregjet e punës si në Ballkanin Perëndimor ashtu edhe në Bashkimin Europian po përballen me mungesa të konsiderueshme të fuqisë punëtore dhe të aftësive. Sondazhet në Ballkan gjithnjë kanë treguar vitet e fundit se mungesa e fuqisë punëtore është pengesa kryesore për ambientin e biznesit.
Në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi, bizneset e anketuara nga Banka Botërore si pjesë e Programit të Matjes së Aftësive raportuan se përballen me sfida serioze në gjetjen e punonjësve në të gjitha profesionet. Serbia ka raportuar mungesa të larta (25%) të teknikëve dhe profesionistëve. Shqipëria ka raportuar 20% mungesa në punonjësit e shërbimeve dhe shitjeve. Ndërsa për punonjësit e kualifikuar mungesat janë jashtëzakonisht të larta në të gjitha vendet.
Të dhënat tregojnë se Gjermania është destinacioni kryesor për emigrantët nga Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor. Rreth 40% e individëve të anketuar që shprehin dëshirën për të emigruar zgjedhin këtë vend si opsionin e tyre kryesor.
Studimi thekson se aspiratat për migrim nuk varen vetëm nga faktorët ekonomikë, por edhe nga lidhjet sociale dhe kërkesat e tregut të punës. Për të reduktuar dëshirën për emigrim, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përmirësojnë kushtet e tregut të punës duke krijuar më shumë mundësi për punësim dhe zhvillim profesional, rekomandon studimi./ Monitor