Pjesë e një organizate kriminale që kryente vrasje me pagesë, media greke publikon fotot e dy shqiptarëve të rrezikshëm që u arratisën nga burgu

Grabitje, tentativë vrasje, zjarrvënie, dhe pjese e një organizate kriminale, janë vetëm disa nga krimet për të cilat janë dënuar dy shqiptarët e arratisur nga Burgjet Rurale të Kassavetia mbrëmjen e së enjtes.

Sipas protothema.gr, dy shqiptarët janë dënuar me shumë vite burgim (deri dhe me burgim të përjetshëm) për një sërë grabitjesh, zjarrvënie dhe anëtarësim në një organizatë kriminale me qëllim kryerjen e vrasjeve.

Dy të burgosurit, të dy 41 vjeç, mbaheshin që nga viti 2019 në Burgjet Bujqësore, në një zonë të pa rrethuar, për shkak të sjelljes së mirë, ndërsa dhoma e tyre kontrollohej vetëm disa herë në ditë nga stafi. Të arratisurve iu dhanë pesë ditë pushim në vitin 2024 dhe me sa duket përfituan nga kthimi i tyre nga leja e fundit disa ditë më parë për të planifikuar dhe ekzekutuar arratisjen e tyre.

Zhdukja e tyre, e cila u zbulua në orën 21:00 të së enjtes, shkaktoi mobilizimin e menjëhershëm të policisë pasi dy të arratisurit konsiderohen të rrezikshëm, për shkak të së shkuarës së tyre. Arratisja e tyre ngre pikëpyetje serioze për masat e sigurisë të vendosura në IEVP.