30-vjeçari Kristi Bixheku, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është ekstraduar nga Holanda në Shqipëri. Ai akuzohet për disa vepra të rënda penale, përfshirë “shkatërrim prone me eksploziv”, “sigurimi i kushteve materiale për të kryer vrasje” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Sipas Policisë së Shtetit, Bixheku ishte përfshirë në vendosjen e eksplozivit në banesën e Bujar Turkut më 31 dhjetor 2022 në Lushnjë. Arrestimi dhe ekstradimi i tij u mundësuan nga bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe Interpol Haga.
Grupi i Laert Haxhisë – një organizatë kriminale e dhunshme
Hetimet kanë zbuluar se grupi i drejtuar nga Laert Haxhiu është përgjegjës për:
• 6 vrasje, përfshirë dy në Greqi
• 5 raste të shkatërrimit të pronës me eksploziv
• 3 raste të vjedhjes me dhunë
• 3 raste të sigurimit të kushteve për kryerjen e vrasjeve
• 1 rast të kanosjes së punonjësve të policisë
Të arrestuarit dhe të kërkuarit për këto krime janë të përfshirë në ngjarje të ndodhura në qytete si Elbasan, Lushnjë, Tepelenë, Korçë dhe Durrës, nga viti 2021 deri në 2023.
Deri tani janë ekzekutuar 12 urdhër-arreste, ndërsa 3 persona mbeten në kërkim.