“Pistoletën e hodha në Gjanicë” – Dëshmon Skerdi Tase për atentatin ndaj Agim Boriçit: Mendova se e qëllova, por ai bërtiti dhe u shtri poshtë

Në kuadër të procesit gjyqësor për dosjen “Plumbi i Artë”, i penduari Skerdi Tase ka dhënë dëshminë e tij para trupit gjykues, duke rrëfyer detaje për atentatin e dështuar ndaj Agim Boriçit në vitin 2017.

Tase deklaroi se ishte takuar për herë të parë me Henrik Hoxhajn pikërisht për të kryer këtë atentat me porosi. Sipas tij, urdhri për eliminimin e Boriçit ishte dhënë nga shtetasi Viron Tavanxhi.

“Shtetasin Henrik Hoxhaj e kam njohur nga një shok i përbashkët. Në vitin 2017, Viron Tavanxhi më takoi me Henrikun për të bërë ekzekutimin e një personi në Fier. Gjetëm objektivin në një lokal, mora armën dhe shkova drejt tij. Ai kuptoi që isha për të, bërtiti dhe u shtri poshtë. Mendova se e qëllova dhe u largova me shpejtësi. Pistoletën e hodha në lumin Gjanicë”, tregoi Tase.

“Për ngjarjen Henriku kishte një makinë “Alfa romeo” të blerë në Fier. Henriku kishte dhe një armë pistoletë automatike. Ditën e ekzekutimit, Henriku më thirri dhe më tha se porositësi i kishte thënë “shumë po e zgjasni atë punë”. Dolëm dhe e gjetëm atë njeriun në një lokal. Unë mora armën dhe shkova atje. Ai personi e kuptoi që isha për të. Ai u çua në këmbë, bërtiti me të madhe dhe u shtri poshtë. Unë mendova se e qëllova. Pastaj ika nëpër rrugicat e qytetit. Pistoletën e kam hedhur në Gjanicë. Porosia e Viron Tavanxhi ishte për ekzekutimin e Gim Boriçin. Unë e njihja, kisha dëgjuar për të në Fier. Unë njihesha prej vitesh me Vironin. Në 2017 ai më kontaktoi për të vrarë Agim Boriçin. U realizuan veprimet, por në vitin 2018. Ndërsa në 2017, unë takohesha përditë me Henrikun. Gjatë kësaj kohe ai më tha se kishte marrë përsipër edhe një punë tjetër, ekzekutimin e Aredin Beharit. Hënriku kishte foto të tij. Ai rrinte tek një lokal përballë shtëpisë, si edhe kishte një dyqan ku shiste vajra makina”– tha Skerdi Tase.