Pishina kthehet ujëvarë, pallatet gjigande shemben para syve të njerëzve! Tërmeti 7.7 Rihter trondit Myanmar

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.7 ka goditur Myanmarin, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe panik te banorët. Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), lëkundjet u ndjenë edhe në Kinë dhe Tajlandë, ku njerëzit u evakuuan nga ndërtesat në Bangkok dhe dolën në rrugë për t’u mbrojtur.

Epiqendra e tërmetit ishte 16 kilometra në veriperëndim të qytetit Sagaing, pranë Mandalay, rreth 100 kilometra në veri të kryeqytetit Naypyidaw. Pamjet e shpërndara në mediat sociale tregojnë dëme të shumta, duke përfshirë çarje në rrugë dhe shembje të pjesëve të tavaneve nga ndërtesat.

Një nga skenat më të habitshme u regjistrua në një hotel, ku për shkak të lëkundjeve të forta, pishina e tij u kthye në një ujëvarë, duke shkaktuar habi dhe frikë te të pranishmit. Autoritetet janë në gjendje gatishmërie, ndërsa ende nuk ka raporte për viktima.