Piluri, për dy netë radhazi kryeqendra e polifonisë! Festivali “Netët e Bejkës së Bardhë” sjell magjinë e këngës labe
Për dy netë me radhë, fshati Pilur në Himarë është kthyer në epiqendrën e këngës polifonike, duke mirëpritur edicionin e gjashtë të festivalit tradicional “Netët e Bejkës së Bardhë”, i cili këtë qershor mblodhi 18 grupe pjesëmarrëse nga zona të ndryshme të jugut të vendit.
Grupet nga trevat e Vlorës, Sarandës, Tepelenës, Gjirokastrës e më gjerë sollën repertorin e tyre më të mirë, në një aktivitet që synon të ruajë, trashëgojë dhe promovojë këtë pasuri të rrallë të kulturës shqiptare: këngën polifonike.
Festivali, që zhvillohet gjatë sezonit turistik, shërben gjithashtu si një formë e fuqishme promovimi për zonën, duke tërhequr vizitorë e turistë vendas e të huaj që vlerësojnë traditën dhe muzikën burimore.
Atmosfera ka qenë mbresëlënëse, me pjesëmarrjen e emrave të njohur të polifonisë labe si Kristo Çipa dhe Eleni Merkuri, si dhe shumë artistë të rinj që po e çojnë më tej këtë traditë brez pas brezi.
Grupi polifonik i Sarandës është vlerësuar me çmimin e parë të festivalit, por më e rëndësishmja mbetet mesazhi: të ruhet dhe të përcillet kjo trashëgimi e jashtëzakonshme shpirtërore shqiptare, që është kënga labe