Pezullohet përkohësisht kalimi i mjeteve tregtare në Qafë Botë pas arrestimeve në doganën greke

Kalimi i qytetarëve dhe automjeteve private në pikën kufitare të Qafë Botës vijon normalisht, por qarkullimi i automjeteve tregtare dhe kamionëve është pezulluar përkohësisht, për shkak të një situate të krijuar në doganën greke të Mavromatit.

Ky zhvillim vjen pas një operacioni të gjerë të autoriteteve greke, i cili ka çuar në arrestimin e 13 punonjësve të doganës, përfshirë edhe drejtuesin e saj. Të arrestuarit dyshohen për korrupsion dhe kontrabandë, duke marrë ryshfet në këmbim të lejimit të kalimit të mallrave pa kontroll.

Sipas mediave greke, hetimet kishin nisur prej muajsh dhe janë mbështetur në përgjime telefonike, të cilat zbulojnë komunikime të dyshimta mes punonjësve të doganës dhe personave të interesuar për kontrabandë mallrash.