Pezullimet nga Disiplina, Orges Shehi ‘shpik’ Tiranën e dy finaleve të sezonit
Dënimi nga Komisioni i Disiplinës prish planet tek Tirana.
Bardheblutë duhet të bëjnë llogaritë pa 6 futbollistë kyç në këtë sezon për duelin e fundit ndaj Erzenit, sfidë që vlen shumë në garën për titullin kampion.
Trajneri Orges Shehi duhet të shpik një skemë që nuk bazohet në shtyllën kurrizore të skuadrës bardheblu, siç janë futbollistë si portieri Bekaj, Albano Aleksi, Bruno Lulaj dhe sulmuesi kryesor i ekipit, Florent Hasani.
Katër futbollistë që duhet t’i gjendet shumë shpejt zëvendësuesi, pasi dueli me shijakasit është në program për tu luajtur të hënën e 29 majit.
Gjasat janë që të përfshihen disa prej lojtarëve të akademisë për t’i dhënë kështu mundësinë lojtarëve të rinj ndoshta për të provuar rivalitetin në Superiore. Dueli ndaj Erzenit ka vlera të mëdha për Tiranën, pasi duelojnë me Partizanin për titullin kampion dhe i shërben vetëm fitorja për të shpresuar tek një ndalesë e demave.
Por, pezullimi i futbollistëve si Aleksi, Lulaj dhe Hasani, Tirana do e vuaj edhe në finalen e Kupës së Shqipërisë, ku sfidon Egnatian me 1 qershor. Një përballje ku edhe aty do nevojiten shpikjet e trajnerit Orges Shehi për të plotësuar gropën e krijuar nga mungesa e lojtarëve kyç.