Peter Pellegrini fiton zgjedhjet presidenciale në Sllovaki
Peter Pellegrini, një aleat i ngushtë i kryeministrit populist Robert Fico, e ka mposhtur një kandidat properëndimor për t’u zgjedhur president i ri i Sllovakisë, duke e pasuar Zuzana Captovan.
Pellegrini i fitoi 53 për qind të votave në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të shtunën, duke e mposhtur ish-ministrin e Jashtëm, properëndimorin Ivan Korcok, i cili i fitoi rreth 47 për qind të votave.
“Mund t’ju premtoj se do të jem president i të gjithë qytetarëve sllovakë. Zotohem se do të jem gjithmonë në anën e Sllovakisë”, tha Pellegrini pas triumfit në zgjedhje.
Caputova, një mbështetëse e madhe e shtetit fqinj Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit rus, nuk garoi fare për mandatin e dytë për presidente.
Qeveria, e udhëhequr nga kryeministri, zotëron shumicën e pushtetit ekzekutiv.
Partia Smer e Ficos i fitoi zgjedhjet parlamentare shtatorin e kaluar falë një platforme proruse dhe antiamerikane.
Partia e Pellegrinit Hlas e zuri vendin e tretë dhe iu bashkua koalicionit qeverisës me Ficon dhe partinë ultranacionaliste, Partia Nacionale e Sllovakisë.
Kritikët druajnë se Sllovakia nën sundimin e Ficos do ta braktisë rrugën properëndimore dhe do ta ndjekë drejtimin e Hungarisë, e cila udhëhiqet nga kryeministri populist Viktor Orban.Qeveria e re menjëherë e ndali furnizimin me armë për Ukrainën. Mijëra njerëz kanë protestuar vazhdimisht nëpër rrugët e Sllovakisë së fundmi kundër politikave proruse të Ficos, përfshirë kundër planeve për ta ndryshuar Kodin Penal dhe për t’i marrë nën kontroll mediat publike.
Korcok ishte kritik i vendimeve të Qeverisë, për të cilat protestuesit druajnë se mund ta minojnë sundimin e ligjit, ndërsa Pellegrini e mbështeti Qeverinë e re dhe nuk i vuri në dyshim politikat e saj.
Korcok është ish-ambasador sllovak në Shtetet e Bashkuara dhe në Gjermani, i cili shërbeu edhe si i dërguar i vendit në NATO dhe në Bashkim Evropian.