“Pesë vota, 500 mijë” – PD publikon videon nga Dibra, Paloka: Po përpiqen t’u mbyllin gojën demokratëve që denoncojnë! Rama mund të bëhet mbret, por…

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, në një konferencë për mediat, akuzoi socialistët se po përpiqen t’u mbyllin gojën demokratëve që denoncojnë vjedhjet e votave.

Paloka publikoi një video ku dëgjohet një person nga Dibra që thotë se shiti 5 vota për 500 mijë lekë.

Paloka thotë se video në fjalë është regjistruar fshehtas nga Lulzim Memamshi, anëtar i PD prej vitesh, i cili ka qenë komisioner në këto zgjedhje.

Sipas Palokës autori i videos është kërcënuar nga disa persona në vendin e punës për publikimin e videos. Për këtë arsye Paloka kërkon mbrojtje publike për Lulzim Memashin.

“Lulzim Memamshi është autor i kësaj video, anëtar i PD prej vitesh ka qenë komisioner në këto zgjedhje. Ai është  në gjendje shumë të vështirë  ekonomike, ka dhe një djalë të sëmurë, e ka lënë bashkëshortja disa muaj më parë. Pas daljes së kësaj video dje në vendin e tij të punë i kanë vajtur dy persona që e kanë kërcënuar. Fjalët kanë qenë çfarë i ke bërë vetes me atë që ke nxjerrë, do ta shohësh çfarë do të bëjmë.  Kërkojnë tu mbyllin gojën atyre që denoncojnë. Jam këtu për ta denoncuar si rast dhe për të marrë në mbrojtje publike Lulzimin”, tha Paloka.