Pesë vjetori i SPAK, zv.ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit mbërrin në Shqipëri

Pesë muaj pasi u emërua nga Departamenti Amerikan i Shtetit në detyrën e zëvendës ndihmës sekretarit për Ballkanin Përdëndimor, Alexandër Kasanof, bën vizitën e parë në Shqipëri.

Kasanof mbërriti në Tiranë pasditen e së mërkurës. Mësohet se vizita e Kasanof në Shqipëri lidhet vetëm me pjesëmarrjen e tij në një aktivitet për 5 vjetorin e SPAK, që mbahet të enjten në kryeqytet.

Kasanof do të mbajë një fjalë të veçantë në aktivitet, si përfaqësues i SHBA, që bashkë me BE, janë ideatorët, financuesit dhe mbështetësit kryesorë të Reformës në Drejtësi.

Pas mbërritjes në Shqipëri vizitën e parë zyrtari i lartë amerikan, i cili është pasardhës i Gabriel Eksobar, e zhvilloi në selinë e delegacionit të Bashkimit Europian ku zhvilloi për gati 60 minuta një takim kokë më kokë me ambasadorin e delegacionit të BE-së, Silvio Gonzato. Së bashku me Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian është mbështetësi kryesor i reformës në drejtësi dhe pavarësisë së SPAK.