Pesë vjet pas tërmetit shkatërrues, qindra shqiptarë ende presin shtëpitë e reja

Pesë vite pas tërmetit të 2019, shenjat e shkatërrimit janë ende të pranishme, ndërsa rindërtimi ecën me ritme të ngadalta.

Shumë ndërtesa mbeten të papërfunduara, duke lënë mijëra në streha të përkohshme. Vonesat, fondet e pamjaftueshme, ndërprerja e bonusit të qirasë, bëjnë që edhe këtë vit qindra banorë të presin që viti i ardhshëm t’i kthejë në shtëpitë  e tyre.

Qytetet ku ishte edhe epiqendra janë një kantier ndërtimi. Përgjatë rrugës duken gjurmët e shkaktuara nga tërmeti 26 nëntorit. Shumë pallate ende nuk kanë përfunduar ose janë në fazën fillestare të ndërtimit.

Pas tërmetit në vitin 2019, deklarata të shumta të qeveritarëve të ndryshëm pasuan njëra tjetrën, me ndryshime të njëpasnjëshme të afateve të rindërtimit. Sot, kur kanë kaluar 5 vite nga tërmeti, gjurmët e tij nuk ndihen më në deklaratat politike, por nëse përshkron rrugët e zonave të goditura shikohet qartazi shkelja e afateve të procesit të rindërtimit dhe gjurmët e lëna edhe sot tek qytetarëve të cilët jetojnë mes kantierëve të ndërtimit.