Përvetësuan mbi 2 mln Lekë gjoba, Gjykata e Kukësit cakton masa sigurie për 22 policë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) njoftoi ditën e sotme se ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Kukësit që ka caktuar masa sigurie për 22 punonjës policie, të dyshuar për “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “Shpërdorim detyre.

 

“Nga hetimet disa mujore me metoda speciale nën drejtimin e Prokurorisë, u bë e mundur dokumentimi me prova ligjore i abuzimit të punonjësve të policisë së qarkullimin rrugor, në rastet e konstatimit të shkeljeve nga ana e drejtuesve të mjeteve me targa të huaja”, njoftoi AMP.

 

Por si abuzuan policët?

 

Efektivët në terren, duke keqpërdorur aksesin në sistemet dhe databazat e policisë konstatonin shkeljen dhe administronin shumën monetare duke i dhënë shoferit procesverbalin përkatës.

 

Në vijim ata nuk kryenin arkëtimet dhe nuk bënin pasqyrimet përkatëse në sistem, me qëllim përvetësimin në mënyrë të paligjshme të parave të marra nga gjobat administrative.

Sipas hetimeve ka rezultuar se në total janë vjedhur 2.2 milionë Lekë të reja.

Sipas AMP-së, prej masave të sigurisë, 6 janë lënë në arrest me burg, 4 në arrest shtëpie, 4 në detyrim paraqitjeje e ndalim i daljes jashtë shtetit dhe 8 të tjerë vetëm detyrim paraqitje.