Perugia/ Dy shqiptarë të arrestuar me gati 5 kilogramë kokainë, vlera në treg mbi gjysmë milioni euro

Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar nga autoritetet italiane në Perugia, pas sekuestrimit të një sasie të konsiderueshme kokaine, me një peshë totale prej 4 kilogramësh e 600 gramësh.

Operacioni është zhvilluar nga Njësia e Policisë Ekonomike dhe Financiare e Guardia di Finanza, në zonën e Ponte Felcino, përpara një qendre tregtare, ku u kontrollua një automjet i dyshimtë me dy persona brenda.

Sipas hetimeve, droga ishte ndarë në pesë pako dhe kishte një vlerë me shumicë prej rreth 150 mijë euro, ndërsa nëse do të shitej me pakicë në treg, do të kapte një vlerë mbi gjysmë milioni euro.

Arrestimi u bë pas verifikimeve të para në vendngjarje, ku policia vuri re sjellje të dyshimtë nga të dy të ndaluarit dhe kontradikta në dëshmitë e tyre. Kjo çoi në një kontroll më të thelluar të mjetit dhe hetime të mëtejshme përmes bazave të të dhënave policore.

Hetimet zbuluan se njëri prej shqiptarëve kishte precedentë të shumtë penalë në fushën e narkotikëve dhe ishte shpallur në kërkim në Itali. Autoritetet gjyqësore të Perugias kishin lëshuar ndaj tij disa urdhër-arreste që datojnë nga viti 2021.