Personi më i vjetër në botë zbulon sekretin e jetëgjatësisë: Mos debato me askënd dhe bëj…

Ethel Caterham, 115-vjeçarja britanike që mban aktualisht titullin e personit më të vjetër në botë, ka zbuluar sekretin e jetëgjatësisë së saj: të jetosh me qetësi dhe të bësh atë që do. Ethel, e lindur në vitin 1909 në Hampshire, është bërë gruaja e parë me origjinë britanike që nga viti 1987 që kryeson listën e më të moshuarve në planet, pas vdekjes së murgeshës braziliane Ina Canabaro Lucas, në moshën 116-vjeçare, më 30 prill.

Jetën e saj, Ethel e përshkruan si të mbushur me paqe dhe vetëkontroll. “E kam marrë me qetësi çdo gjë që ka ndodhur në jetë, si të mirën ashtu edhe të keqen,” ka rrëfyer ajo për BBC në vitin 2020. Sipas saj, një nga vendimet më të rëndësishme në jetë ka qenë të mos përfshihet në debate me askënd.

Në moshën 18-vjeçare, Ethel punoi si shërbëtore në Indinë Britanike dhe u kthye në Angli për t’u martuar me bashkëshortin e saj në vitin 1933. Ai ishte oficer në departamentin financiar të ushtrisë britanike, dhe së bashku jetuan në Gjibraltar dhe Hong Kong. Çifti pati dy vajza, ndërsa bashkëshorti i saj ndërroi jetë në vitin 1976.

Prej 50 vitesh, Ethel jeton në një qendër kujdesi në Surrey, ku gëzon praninë e tre mbesave dhe pesë stërnipërve e stërmbesave. “Kam udhëtuar në të gjithë botën dhe përfundova në këtë shtëpi të mrekullueshme”, tha ajo me mirënjohje.