Personi i tretë dyshohet Ibrahim Lici, mund të jetë qëlluar me 2 plumba! U mjekua në jug? Kontrolle në klinikat private në Vlorë e Fier

I treti që shpëtoi në masakrën e Dobraçit, që dyshohet se është Ibrahim Lici mund të jetë dërguar për mjekim në jug të vendit, pasi hetuesit dyshojnë se mori të paktën 2 plumba.

Kontrollet në Vlorë e Fier nuk rezultuan të suksesshme. Grupi hetimor vijon hetimin për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa tregohet i rezervuar për detaje.

Mbi këto dyshime policia ka ushtruar kontrolle në klinika private dhe jo vetëm, në qarqet Vlorë dhe Fier, por deri më tani nuk kanë rezultuar të suksesshme për të gjetur të tretin që ndodhej në makinë me Hamza Licin dhe Arlind Bushatin, të vrarë në atentat në lagjen e Bajrave, grupit rival të Licajve.

Hetuesit dyshojnë se personi që mendohet të jetë i kërkuari i drejtësisë për vrasje, Ibrahim Lici, të ketë marrë 2 plumba e të jetë mjekuar fillimisht në shtëpi, por më tej nevoja për specialist, mund ta ketë detyruar të marrë rrugën për në jug të vendit, duke qenë se në zonat pranë Shkodrës mund të identifikohej lehtë. Kontrollet në klinikat private në Shkodër nuk zbuluan asgjë, çfarë çoi grupin hetimor në zgjerim të rrezes deri në qarqet Vlorë dhe Fier.