Përshkallëzohen tensionet në Kashmir! Pakistani kërcënon Indinë me arsenalin bërthamor: 130 raketat tona janë drejtuar nga ju!

Tensionet në Kashmir janë përshkallëzuar ndjeshëm pasi Pakistan ka kërcënuar se do të vendosë në përdorim arsenalin e tij bërthamor mes frikës për një luftë të gjithanshme pas sulmeve të fundit që shkaktuan 26 të vdekur në rajon.

Luftimet e përshkallëzuara shpërthyen javën e kaluar në Kashmir – një territor që është në diskutim ndërmjet Indisë dhe Pakistanit që nga ndarja britanike e Indisë në vitin 1947. Sulmi i fundit ndaj civilëve në qytetin Pahalgam ka shkaktuar reagime të shumta ushtarake dhe diplomatike, ndërsa të dyja palët janë përpjekur të rrisin forcat e tyre përgjatë ‘Linjës së Kontaktit’ që ndan Kashmirin e administruar nga India dhe Pakistan.

India ka filluar stërvitje detare, ka testuar raketa me rreze të gjatë dhe ka pezulluar një traktat kyç që ka mundësuar furnizimin e Pakistanit me ujë nga lumi Indus, një element jetik për furnizimin me ujë dhe ekonominë bujqësore të Pakistanit.

Pakistani ka reaguar duke mbyllur hapësirën ajrore për linjat ajrore indiane dhe ka mobilizuar ushtrinë e tij, duke pozicionuar artileri dhe automjete të blinduara në kufi, duke u përgatitur për një mundësi konflikti të madh. Dy palët kanë shkëmbyer zjarr me armë të vogla gjatë katër ditëve të fundit.

Tensionet u rritën akoma më tej kur ministri i hekurudhave të Pakistanit, Hanif Abbasi, deklaroi se arsenali bërthamor i Pakistanit, me më shumë se 130 raketa balistike, është “i rezervuar vetëm për Indinë” dhe se “të gjitha këto raketa janë të drejtuara kundër jush”, duke bërë një paralajmërim të fuqishëm.